Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve të ish-ministrit Pal Lekaj, Eset Berishës e Besim Tahirit, për rastin e 53-milionëshit të Bechtel Enkas.
Kjo pasi mbrojtësit kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Gjykata e Apelit ka njoftuar se ankesat janë rrëzuar.
“Gjykata e Apelit me aktvendimin, PN.S.nr.41/22 të datës 22.08.2022, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve P.L.,N.SH., , E.B., dhe B.T., të cilët ngarkohen sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo Gjykatë ka gjetur se, në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar, duke vazhduar me arsyetimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat mbështesin veprimet e përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në njoftim.
Hedhjen poshtë të aktakuzës e kanë kërkuar të akuzuarit për keqpërdorim të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Aktakuza mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill”. Mospagesa prej 14 milionë eurove shtesë, që dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e kishte prezantuar para Komitetit Ndërministror, i kishte hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.
Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër në kohën e ndarjes së këtyre mjeteve, pati akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.
Autostrada Prishtinë-Han i Elezit ka nisur më 2014 dhe ishte planifikuar të përfundonte më 2018 me koston prej 600 milionë eurove. Ajo është lëshuar në qarkullim në maj të vitit 2019. Edhe kostoja e saj, në ndërkohë ka pësuar rritje të madhe.