Për mjekun Ilir Tolaj grumbullimet e mëdha të të moshuarve për të marrë vaksinat anti-COVID në Prishtinë “janë një skandal” pasi “pavarësisht se autoritetet kanë pasur mjaft kohë për t’u organizuar, fakti tregon se ka dezorganizim të plotë”.
Në një intervistë mjeku Tolaj tha se vonesa për të marrë vaksinat nga autoritetet shëndetësore të Kosovës ka shtuar ankthin dhe kërkesat nga qytetarët ndërsa institucionet nuk e shfrytëzuan këtë periudhë për t’u bërë gati.
“Edhe sikur të mos ishin fare arsyet politike, arsyet mjekësore të një situate të tillë janë të mjaftueshme për të reaguar kushdo qytetar, jo vetëm opozita” – u shpreh mjeku Tolaj përballë pyetjes se së fundmi në Kosovë opozita ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën.
Tolaj tha për Euronews Albania se për të shmangur grumbullimet e qytetarëve do të duhej të ishin parashikuar më shumë qendra vaksinimi dhe ato do të duhet të ishin ngritur në vende të hapura.
Mjeku u shpreh se grumbullimet për vaksina mund të nxisin një valë infeksioni, por shtoi se fatmirësisht ato janë kryer në mjedise të jashtme, të cilat janë më pak favorizuese të përhapjes krahasuar me mjediset e mbyllura.
Në tërësi Tolaj e përshkroi situatën epidemiologjike të Kosovës të ngjashme me Shqipërinë me një prirje ulëse të rasteve dhe vdekjeve. Ai shtoi se qeveria do të duhej të kishte lehtësuar masat kufizuese dhe paralelisht të shtonte deri në 500 mijë doza marrjen e vaksinave dhe nisjen vrullshëm të vaksinimit.