E shtuna do të jetë ditë e rregullt mësimi për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën, për të zëvendësuar orët e humbura nga greva pesë javëshe në arsim.
Kjo pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, edhe pse Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po e kundërshtojnë një vendim të tillë.
Megjithatë, procesi mësimor është realizuar pjesshëm këtë të shtunë, sipas kalendarit të përcaktuar nga MAShT-i.
Mësimdhënësit kanë qenë te pranishëm në shkolla, por në disa klasa mungojnë nxënësit.
Kështu ka thënë për Front Online nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.
Shala tha se vetëm 30 për qind e shkollave kanë mbajtur mësimin për zëvendësimin e orëve.
“Ministrja e Arsimit thotë që kanë mbajtur mësim një pjesë e madhe e nxënësve por numri ka qenë shumë i vogël i pjesëmarrësve në mësim. Ka shkolla që mësimdhënësit kanë qenë aty, por nxënësit nuk kanë qenë të pranishëm. Diku rreth 70% nuk është mbajtur mësimi ndërsa 30 % është mbajtur mësimi në shkolla dhe aty ku është mbajtur me një numër shumë të vogël të nxënësve“, u shpreh Shala.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ditë më parë ka thënë se mësimdhënësit të cilët nuk janë prezent në shkolla në ditët e zëvendësimit të orëve mësimore, do t’iu ndalohet paga.
Këtë vendim të ministres, nënkryetarja e SBASHK-ut, po e vlerëson si të ngutshëm.
Shala thotë se ditët jashtë orarit të punës duhet t’iu paguhen ekstra mësimdhënësve.
“Vendimi për pagat e mësimdhënësve është vendim i ngutshëm i ministres sepse mësimdhënësit janë duke punuar ashtu si është e paraparë me ligjin e punës, janë pesë ditë pune kurse dita e shtune dhe e diele janë pushim, e nëse mësimdhënësit punojnë në ditën e shtune atëherë duhet që të bëhet një pagesë prej 150% të asaj dite”, tha ajo për Front Online.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar duke thënë se mësimi të shtunave është gabim dhe do të refuzohet arsyeshëm.
Greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.