Përgatitja e gjyqit kundër Shalës në Hagë, mbrojtja kritikon prokurorinë për shtim të dokumenteve

Përgatitja e gjyqit kundër Shalës në Hagë, mbrojtja kritikon prokurorinë për shtim të dokumenteve

Në seancën e konferencës përgatitore ndaj Pjetër Shalës, të martën mbrojtja është shprehur e shqetësuar lidhur me vonesat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nxjerrjen e dokumenteve.

Mbrojtja e Shalës ka thënë se nuk bëhet fjalë për dokumente të reja, por për dokumente që tashmë ekzistojnë dhe është paraqitur e shqetësuar me mënyrën se si i nxorën këto dokumente.

Sipas mbrojtjes, në të shkuarën ata janë përballur me një numër të madh vështirësish duke theksuar se janë rreth 500 dokumente që i janë dhënë me vonesë palës mbrojtëse.

“Po na detyrojnë të punojmë sikur po ecim në rërë që rrëshqet tërë kohës. Ne punojnë sipas dokumenteve që na servohen dhe kur i marrim me vonesë është e vështirë t’i analizojmë dhe t’i përkthejmë. Na duhet kohë që të arrijmë në përgjigjen më të përshtatshme”, janë shprehur nga mbrojtja e Shalës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt- Foglia, ka njoftuar se ZPS-ja ka nxjerrë rreth 18 dokumente dhe se të njëjtit kanë kërkuar që këtë procedurë ta bëjnë sipas rregullës 102/3, duke u bazuar në nenin 15 të dosjes 303.

Lidhur me këtë nga ZPS-ja kanë thënë se e kanë ulur numrin e materialeve që kenë pasur në mocionin me shkrim tani rezulton në 85, duke shmangur dokumentet e dubluara dhe se këto dokumente nuk kanë nevojë për masa mbrojtëse.

ZPS-ja ka shtuar se këto janë dokumente që kanë dalë si rezultat i auditimit që është realizuar në periudhën e fundit përgatitore.

Konferenca përgatitore po vazhdon me diskutimin e pikave të tjera të rendit të ditës.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Related Articles