Mbështetja e Rusisë në dronët e prodhuar nga Irani për sulmet ndaj objektivave ukrainase tregon “falimentimin” e Moskës në nivel ushtarak dhe politik, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas Kievit, sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës në Ukrainë u kryen nga dronët kamikaze Shahed-136 të prodhuar nga Irani.
Irani mohon të ketë furnizuar Rusinë me mjete ajrore pa pilot (UAV), diçka për të cilën Shtëpia e Bardhë thotë se nuk është e vërtetë. Kremlini tha të martën se nuk kishte asnjë informacion në lidhje me përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në sulmet në Ukrainë.
“Le të kemi parasysh se vetë fakti që Rusia i kërkoi Iranit ndihmë do të thotë se Kremlini ka falimentuar” ushtarakisht dhe politikisht, tha Zelensky në një videomesazh, duke shpjeguar: “Për dekada ata shpenzuan miliarda dollarë për industrinë e tyre të mbrojtjes. Dhe së fundmi, ata iu përkulën Teheranit për të siguruar dronët dhe raketat”.
Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se 30% e termocentraleve të Ukrainës janë dëmtuar për shkak të sulmeve të fundit, gjithashtu tha se përdorimi i dronëve të prodhuar nga Irani mund të krijojë shpresa dhe iluzione për udhëheqësit rusë, por që në fund nuk do të jetë efektive.
“Kjo thjesht do t’i tregojë botës edhe një herë se Rusia po shkon drejt humbjes dhe po përpiqet të tërheqë një tjetër nga bashkëpunëtorët e saj në këtë mizori,” përfundoi presidenti ukrainas.