Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca në seancën e sotme të Kuvendit përshëndeti disa gra me kancer të gjirit të cilat janë prezente në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.
Kur Konjufca tha se në sallën e Kuvendit janë edhe këto gra të guximshme, të gjithë u çuan në këmbë dhe duartrokitën, raporton Gazeta Express.
“Muaji tetor përndryshe është edhe muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit. Këtu i kemi gratë e guximshme të Kosovës të cilat janë duke u trajtuar prej kancerit të gjirit”, tha Konjufca.
Në Kuvend janë edhe përfaqësueset e shoqatës së pacientëve të kancerit të gjirit.
“Ju dëshirojmë mirëseardhje në Kuvend dhe urojmë që ta kalojmë këtë luftë të rëndësishme së bashku. Ju dëshirojmë shërim të shpejtë, e po ashtu jetë të gjatë”, iu tha Konjufca atyre.