Kampionia olimpike, Nora Gjakova, është kthyer fuqishëm në tatami. Nora ka munguar plot 15 muaj, ndërsa ka sanuar një lëndim të krahut ndërkohë .
Xhudistja pejane garoi të premten në Grand Slamin në Abu Dhabi, ndërsa rreshtoi katër fitore. Ditën e mbylli me medalje të argjendtë.
Nora ishte bartësja e katërt në kategorinë deri 57 kilogramë.
Në xhiron e parë e kaloi koreanen Yuna Shin. Ndaj saj fitoi në kohën shtesë. Shin pësoi tri dënime. Me holandezen Pleuni Cornelisse, Nora fitoi me mbërthim. Në çerekfinale e kaloi serben Marica Perishiq. Perishiq pësoi tri dënime dhe kështu Nora fitoi me Ippon.
Në gjysmëfinale përballë Norës ishte bartësja e parë, gjeorgjiania, Eteri Liparteliani. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për uazari, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fund. Kështu Nora e siguroi medaljen që në garën e pas mungesës prej 15 muajve është sukses i madh.
Në finale, përballë Norës ishte Mimi Huh, po ashtu e Koresë së Jugut. Finalja ishte e fortë kurse koreanja fitoi fare në fund me mbërthim.
Vendi i dytë megjithatë është sukses për kampionen olimpike, marrë për bazë mungesën e gjatë. Ajo së fundi kishte garuar pikërisht në Tokio, korrikun e vitit të kaluar.
Për Norën është medalja e katërt në garat e nivelit Grand Slam. Ka dy të arta.
Në Abu Dabi garojnë edhe Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.