30 ditë paraburgim për ish-policin boshnjak i akuzuar për krime lufte në Istog

30 ditë paraburgim për ish-policin boshnjak i akuzuar për krime lufte në Istog

Vendimin që do të qëndrojë një muaj në burg duket se e priste.

Andaj, ish-polici Ekrem Bajroviq që u arrestua, të mërkurën, me dyshimin për vrasjen e 18 civilëve shqiptarë në Saradran të Istogut i kërkoi avokatit që një valixhe me rroba t’ia sillte në gjykatë.

Por, pamundësia e kontrollimit të çantës deri në detaje e çoi prapa grilave edhe pa të.

“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhë e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Bajroviq, i cili prej vitesh jeton në Mal të Zi, u mundua që këtij vendimi të gjykatës t’i shpëtojë duke e shfrytëzuar gjendjen e tij shëndetësore.

Seanca për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj boshnjakut Ekrem Bajroviq u mbajt me dyer të mbyllura, megjithatë Klan Kosova arriti të sigurojë disa pamje brenda gjykatores ku shihet se ish-polici Bajroviq me vete kishte marrë edhe një qese të madhe me barna për ta bindur gjyqtarin që është i sëmurë nga diabeti e mos ta dërgojë në burg.

Sipas Prokurorisë Speciale, me urdhër të së cilës Bajroviq u arrestua në shtëpinë e tij në Vitomiricë të Pejës, ish-polici dyshohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Kjo kur i njëjti bashkë me kolegë të tjerë kishte sulmuar konvojin e popullsisë civile të cilët ishin nisur nga Istogu në drejtim të Klinës. Qytetarët që po iknin njëherë i plaçkitën e më pas i vranë.

VIDEO:

Related Articles