Afrim Muçiqi beson se Ismet Munishi nuk është trajneri i duhur për Prishtinën.
Munishi mori drejtimin e kryeqytetasve në verën e këtij viti, teksa skuadra e tij deri më tani ka grumbulluar 21 pikë dhe renditet e treta në tabelën e Superligës.
Megjithatë, aksionari i FC Prishtinës në emisionin “Kendiv” në T7 tha se skuadra duhet të drejtohet nga një trajner i dëshmuar.
Muçiqi tha se pavarësisht se e ka shok Munishin, ai nuk është i duhuri për “bardhekaltertit”.
“Është një djalë i mirë, një ‘showmen’ i mirë. Një trajner, i cili për mua është shumë karizmatik. Por, nuk është i duhuri për Prishtinën për arsye se nuk ka tregu rezultate në asnjë klub që ka qenë. Edhe mendoj që Prishtinës i duhet një trajner që e ka një bagazh të jashtëzakonshëm edhe klubi duhet të ecë përpara. Ismetin e kam mik të mirë, është djalë i mirë, por megjithatë Prishtina është shumë e madhe. Për me qenë trajner i Prishtinës duhet me pasë një eksperiencë pak më ndryshe në mënyrë që Prishtina të ketë vendin ku e ka sot Ballkani. Pavarësisht se i kam rival, jam shumë i gëzueshëm. Unë i kam uruar edhe publikisht, i uroj edhe nga ky emision për punën fantastike që ka bërë trajneri. Por, mos të harrojmë që gjithë ata futbollistë, domethënë kosturen e klubit të Ballkanit, katër lojtarë janë që unë i kam rritë vetë, domethënë lojtarë të Prishtinës që unë i kam marrë, si Korenicën, Zybën, Thaqin, Bekteshin e tjerë. Unë mburrem që me lojtarë të Prishtinës ka mbërri Ballkani, por edhe me lojtarë të vetë. Mendoj që Prishtina si kryeqytet dhe klubi me më nam në Kosovë dhe në mbarë shqiptarinë duhet ta ketë një vend edhe më lartë se Ballkani, mirëpo me një trajner që më të vërtetë ka bagazh. Plotë njerëz thonë ‘pse ky jo’, unë e kam shok Ismetin dhe kam shumë shokë tjerë, mirëpo qejfin nuk mundem me ia bo askujt sepse për me qenë trajner i Prishtinës duhet me tregu veten diku tjetër. Për shembull Ilir Daja ka qenë trajner i Skënderbeut, me të cilin ka shku në faza jashtëzakonisht të mëdha. Trajnerë tonë të Kosovës fatkeqësisht më larg se deri në Pejë nuk kanë shkuar. Këtu është problemi”.