Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka thënë se sa herë që afrohen datat për implementimin e ndonjë marrëveshjeje në veri, ushtria e Serbisë “rastësisht” mban ushtrime ushtarake.
Musliu përmes një njoftimi në Facebook duke komentuar lajmet që qarkulluan në disa media sot se forcat serbe bartin artilerinë ushtarake afër kufirit me Kosovën, tha se ky është një “stil” propagandistik serb që tashmë është bërë lehtë i lexueshëm.
Ai shtoi se videot zakonisht janë të tilla që nuk mund të zbulohet lehtë vendi, dhe gjoja se të “rastit”.
Postimi i plotë:
Sa herë afrohen data që flasin për implementimin e ndonjë marrëveshjeje në veri, ushtria e Serbisë “rastësisht” mban ushtrime ushtarake. Kësaj radhe quhet “Manevra 2022”.
Në anën tjetër, si pjesë e presionit publik, në hallkën e luftës speciale, dikush, me smartphone, xhiron “artilerinë e rëndë”, duke lëvizur drejt Kosovës. Videot zakonisht janë të tilla që nuk mund të zbulohet lehtë vendi, dhe gjoja se të “rastit”.
Pastaj, herë del në media të Serbisë e herë në media të Kosovës.
Ky “stil” propagandistik serb tashmë është bërë lehtë i lexueshëm, por ende ka autoritete në qendra të caktuara që kapen në këtë karrem të Serbisë.