Nga Astronomia e Kosovës kanë ftuar qytetarët e vendit që së bashku me ta të vrojtojnë Eklipsin e Diellit.
Eklipsi i Diellit paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës.
“Me 25 Tetor 2022, ju ftojmë të vrojtoni me ne Eklipsin e Diellit, fenomen spektakolar që paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës, me ç’rast një pjesë e sipërfaqes tokësore eklipsohet nga Hëna”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, ky fenomen do të jetë pjesërisht i dukshëm nga Kosova, dhe do të zgjasë rreth dy orë.
“Stafi ynë ju fton të vrojtoni bashkë me ne nëpërmjet pajisjeve tona optike të sigurta, të dizajnuara ekskluzivisht për vrojtimin e Diellit, të cilat do t’i vendosim tek sheshi ‘Skendërbeu’ në Prishtinë. Organizata jonë gjithashtu do të shpërndajë syze solare falas për të gjithë pjesëmarrësit”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se aktiviteti fillon nga ”11:30 – 14:00”.
Çka është eklipsi i diellit?
Një eklips i Diellit ndodh kur hëna del mes diellit dhe Tokës. Eklipsi, i njohur ndryshe si zënia e diellit, ndodh në fazën e hënës së re, por mund të paraqitet vetëm kur hëna e re gjendet afër ekliptikës.
Gjatë një viti, zakonisht ndodhin dy eklipse të Diellit. Eklipsi i diellit mund të zgjasë deri në 10 minuta.