Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, deklaroi të martën se ka shpresa që deri në fund të vitit Kosova të marrë përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave.
Këtë deklaratë ai e bëri para mediave, pas takimit që bashkë me anëtarët e Komisionit zhvilluan me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
“Ambasadori ka konfirmuar pozicionin e presidentit Macron dhe të Trekëndëshit të Vaimarit të shprehur në qershor për të qenurit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe natyrisht me një prapashtesë sepse ka disa shqetësime që duhen të adresohen. Ky është formulimi i saktë që kemi biseduar sot”, tha Abazi.
“Kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të ketë qartësinë e plotë. Kemi marrë përgjigje gjithashtu, është një klub i shteteve të Bashkimit Evropian që po bën negociata për të gjitha aspektet përfshirë edhe ETIAS, si sistem i cili jo domosdoshmërisht e prek vetëm Kosovën”.
“Prapë kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë qytetarët kosovarë presin nga ky proces, ajo që është thënë sot është se ky proces do të vazhdojë dhe ka shpresa që deri në fund të vitit të marrim përgjigje pozitive sa i përket dinamizimit të procesit të liberalizimit të vizave”.