Një tjetër rast i dhunimit raportohet se ka ndodhur në Kosovë. Bëhet fjalë për Gjakovë, ku një vajzë ka denoncuar në polici se është dhunuar seksualisht nga një burrë.
Rasti ka ndodhur para 10 ditësh, ndërsa i dyshuari është arrestuar të hënën pasdite.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Yllka Juniku-Shehu.
Ajo tha se gjatë arrestimit, i dyshuari nuk ka bashkëpunuar me Policinë e Kosovës dhe derisa ka tentuar që t’iu ikë, ka pësuar lëndime në këmbë.
“Për shkak të lëndimeve, i pandehuri do t’i nënshtrohet një operimi dhe pastaj ndaj tij Prokuroria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Rasti është iniciuar si ‘dhunim’”, deklaroi Juniku-Shehu.
Ndryshe, sot në mëngjes Telegrafi raportoi për një rast të dhunimit që ka ndodhur në fshatin Vrellë e Istogut, ku dyshohet se një 15-vjeçare është dhunuar seksualisht nga xhaxhai i saj, i cili është arrestuar.