Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimit dhe aplikimit të masave të fshehta, ka ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve. Personat e ndaluara janë I.L dhe M.T, i cili është avokat.
“Personat e lartcekur dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një cerifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.
Ndërsa, personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.