Atmosfera në kampin bardhekaltër është shumë e mire para derbit me Ballkanin.
Trajneri Munishi thotë se fitoret në ndeshjet e fundit kanë bërë që atmosfera në ekip të jetë fantastike.
“Atmosfera është shumë e mirë. Normalisht që fitoret janë ato që e ndreqin atmosferën në skuadër. Kemi pasur një javë shumë të madhe. Kemi zhvilluar tri ndeshje shumë të forta. Edhe me Ferizajn ka qenë ndeshje e fortë, edhe me Dritën edhe me Llapin kemi arkëtu pikët maksimale. Natyrisht se atmosfera është fantastike në skuadër”, deklaron Munishi për Demokracia.com.
“Djali i kryeqytetit” vlerëson kampionët, por thekson se ata shkojnë për fitore në Suharekë.
“Edhe përballja e parë kur e kemi pasur me Ballkanin ka qenë shumë interesante. Kanë vendosur nuancat. Besoj që kemi luajtur shumë në nivel atë ndeshje. Tanimë duke marrë parasysh që kemi ngritje të formës, Ballkani ka pak lodhje, duhet ta shfrytëzojmë këtë dhe besoj që do të shkojmë t’i arkëtojmë pikët e plota. Gjithsesi bëhet fjalë për një skuadër jashtëzakonisht kualitative dhe në një ndeshje derbi janë tri rezultatet e mundshme”, pohon Munishi.
Munishi flet për pritjen e ngrohtë që i kanë bërë tifozët e klubit. Ai tregon edhe objektivat e klubit.
“Momentin që kam firmosur për Prishtinën e kam parë përkrahjen shumë të madhe prej qytetarëve dhe Plisave. Më vjen mirë që po vazhdon kjo përkrahje edhe për mua edhe për klubin në përgjithësi. Ne e kemi obligim ta sjellim klubin aty ku e ka vendin. Ndoshta kemi qit objektiva më të mëdha për sa kemi mundësi për arsye se është 100 vjetori i themelimit të klubit. Po luftojmë çdo ndeshje, çdo milimetër që të sjellim ndonjë trofe për 100 vjetorin në skuadrën tonë. Besoj që edhe dalja në Evropë do të jetë sukses i veçantë pasi do luajmë në garat evropiane. Do jemi atraktiv, do ta stërmbushim stadiumin, do ta kthejmë entuziazmin në qytet me ato ndeshje edhe më shumë se që është për momentin. Jemi në rrugë të mirë. Çka do të ndodh prej ktyre trijave janë probleme të ëmbla. Dalja në Evropë ose trofetë gjithsesi do të ndodhin, por varet edhe prej neve se sa do të përmisohemi gjatë rrugës”, thekson ai.