Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka folur për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.
Në një intervistë për Klan Kosova, ai tha se mendon se tani është koha që shteti i tij ta njoh Kosovën.
“Mendoj se shumëçka po ndodhë në këtë kohë. S’mund të them se ka qenë gabim për shkak të situatës në Ukrainë dhe që më 2008 bota ndodhej në situatë krejt tjetër nga 2022-ta”, tha ai.
“Tani mendoj se është koha për ta bërë [njohur Kosovën] dhe mendoj se Ukraina duhet të bashkëpunojë me Kosovën”, shtoi ai.
Ai tha se Kosova mund të llogaris në ndihmën e tij edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Mund të ju them se Kosova mund të llogarisë në mua dhe kolegët e mi. Pozicioni i Ukrainës tani është të mos e njohë Kosovën. Nëse jemi duke folur për komitetin e ministrave, nuk mendoj që Ukraina do të jetë një mbështetës aktiv, por do të bëj gjithçka që mundem që Ukraina të mos jetë një kundërshtues aktiv. Kjo është më e mira që mund ta bëjmë. Do të bëj gjithçka për të dhënë mbështetje në asamblenë parlamentare”, shtoi ai.