Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ‘’Belgrade Security Conference’’ të organizuar në Beograd, në tryezën e diskutimit mbi dialogun me Serbinë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se zëvendëskryeministri Bislimi, mori pjesë online në këtë konferencë, për shkak të ndalimit të vizitës së tij dhe pjesëmarrjes fizikisht në konferencën në Beograd.
Në fjalën e tij, ai shprehu keqardhjen për pamundësinë e të qënit prezent fizikisht, duke thënë se kjo nuk e zvogëloi dëshirën e tij që të jetë pjesë e këtij paneli. Zëvendëskryeministri Bislimi, foli mbi objektivin dhe qëllimin që në fillim të Qeverisë Kurti II, që në procesin e dialogut, të flitej për marrëveshjen finale, ku përmendi propozimin e përgatitur me gjashtë elemente se si ky normalizim gjithëpërfshirës do të dukej, të dorëzuar tek Lajçak jo vetëm kur u diskutua publikisht në takimet e 18 gushtit, por edhe gjatë çerekut të fundit të vitit 2021. Gjatë këtij procesi, ka pasur çështje të cilat ishin të bartura dhe nuk mund të shmangeshin, si çështja e energjisë dhe ajo e targave. Ka pasur interesim të fuqishëm për t’i bërë ato të rëndësishme duke i lidhur me tensione dhe çështje të tjera, ndërkohë që duhej të ishin vetëm teknikalitete. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se problemi më i madh në procesin e dialogut, është divergjenca mes pozicioneve të dy palëve, ku për Kosovën është e rëndësishme që të kemi një dokument final dhe të qendërzuar me njohjen reciproke, e për Serbinë është e kundërta, thuhet në komunikatë.
Sa i përket çështjes së targave, Bislimi ka thënë se kërkesa për shtyrje të afatit, rrjedh nga fushatat e mëdha të dezinformimit që Vucic i paraqiti qytetarëve, shqetësimeve kundrejt kërcënimeve të strukturave paralele ndaj qytetarëve në veri dhe gatishmërisë së shfaqur të Vuqiç që të krijojë tensione rreth një çështjeje bazike. Nuk ka pasur mangësi të kapaciteteve nga ana jonë, që të përmbushim kërkesat që burojnë nga procesi. Vuqiç ka folur dhe për dorëzim, por ky është një koncept që kriminelët e përdorin kur flasin me institucionet e qeverisë dhe ne nuk duam t’i shohim qytetarët në atë pozitë. Ne na është thënë, dhe kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë në gjetjen e një mekanizmi përmes të cilit e bëjmë tranzicionin e lehtë, në mënyrë që gatishmëria e qytetarëve në pajtim me sundimin e ligjit të rritet. Ai komentoi dhe masat e fundit rreth çështjes së targave, duke shpjeguar fazat kalimtare dhe thënë se ne shpresojmë që ky proces do të finalizohet pa incidente deri më 21 prill, datë e cila rastësisht është e njëjta me afatin e fundit për të arritur një marrëveshje të përhershme, sipas standardeve dhe praktikave të BE, e cila dështoi për shkak të mungesës së pozicionimit nga pala serbe.
Në përmbyllje të konferencës, zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për sukseset dhe të arriturat e Qeverisë dhe përkushtimit të vazhdueshëm në përfundimin e procesit të dialogut.
Si dihet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ishte nisur të enjten për në Beograd, për të marrë pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, i është dashur të kthehet prapa në gjysmë të rrugës, pasi autoritetet serbe nuk garantuan për sigurinë e tij.
Bislimi ka thënë se vizita i ishte aprovuar, megjithatë, derisa po afrohej bashkë me delegacionin e tij në Beograd, një veturë e policisë nuk i la të kalonte, sipas tyre, “për arsye të sigurisë s’mund të bëhet”.