Mungesë e transparencës në modelin franko-gjerman

Mungesë e transparencës në modelin franko-gjerman

Analistët në vend shprehin mendime të ndryshme për sa i përket propozimit franko-gjerman, përkatësisht pikës së komentuar në media, se Kosovës i garantohet njohja nga pesëshja evropiane, nëse arrihet marrëveshja me Serbinë. Edhe pse njohja e një shteti nga shteti tjetër është vendimmarrje individuale, kjo mund të arrihet me lobimin e fuqive të mëdha.

Profesori që vije nga fusha e diplomacisë Valon Murtezaj që në fillim thotë se po flasim për një dokument (draft), i cili qarkullon nëpër zyrat e ndryshme diplomatike, e për fat të keq publiku i gjerë ende nuk ka njohuri për shkak të mos-transparencës të theksuar nga Qeveria e Kosovës. Sa i përket njohjes nga pesëshja evropiane, Murtezaj thotë se mbetet brengë vendimmarrja nga këto shtete, pasi vendimet janë individuale.

“Për sa i takon njohjes nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, nëse do të ishte e mundur, do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën. Megjithatë brenga është te vendimmarrja , pra se si do të merret një vendim për njohjen e Kosovës nga këto pesë vende kur dihet që njohja e një vendi nga një vend tjetër është ekskluzivisht vendimmarrje individuale e vetë shtetit”, tha Murezaj.

Kjo duhet të sqarohet nëse vije deri te zhvillimi i mëtejmë i këtij dokumenti, thotë ai.

Por, njohësi i rrethanave politike në vend, Arton Demhasaj thotë se përkundër asaj që shtetet vendosin vetë për njohje, kjo mund të jetë e arritshme. Ai përmend si argument lobimin e fuqive të mëdha te këto shtete.

“Një lobim nga fuqitë e mëdha në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca e Gjermania munden me arrit që me i bind shtetet jo-njohëse që të njohin Kosovën, gjithnjë pas arritjes së një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës e Serbisë. Kur e them këtë besoj se do ta kenë më të lehtë që t’i bindin me njoft Kosovën edhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë. Personalisht e mendoj se mund të jetë e arritshme kjo”, deklaroi Demhasaj.

Nëse garantohet njohja e Kosovës nga pesë vendet evropiane, Kosova duhet të jetë e gatshme për kompromis thotë profesori i shkencave politike Dritëro Arifi.

“Nëse kemi njohje nga 5 vendet e BE-së që një farë mënyre na mundësojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE,atëherë njohja e Serbisë për neve do të ishte i-relevante. Mirëpo edhe ne duhet të jemi të gatshëm për kompromis. Asociacioni nuk mund të bëhet në asnjë mënyrë pa e marr garancionin se do të kemi njohjen e pesë vendeve të BE-së. Ne tash duhet realisht të negociojmë vetëm me BE-në dhe jo me Serbinë, nëse njëra nga pikat është ajo”, tha Arifi.

Ndërkohë ditë më parë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka konfirmuar, për Zërin e Amerikës, se propozimi aktual franko-gjerman është i ndërlidhur me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.

Related Articles