Ish-futbollisti i Feronikelit, lojtari i Malit të Zi, Damir Kojasheviq insiston se është sulmuar nga disa policë pa kurrëfarë arsye.
Ngjarja ka ndodhur të premten në Podgoricë, ndërsa Kojasheviq thotë se nga sulmi i policisë ka pësuar lëndime trupore dhe për këtë ka është dëshmi mjekësore. Ai ka paralajmëruar padi ndaj policëve që e kanë sulmuar, kanë raportuar të hënën mediumet nga Mali i Zi.
“Ngjarja ka ndodhur te Shkolla Fillore ‘Marko Miljanov” në Konik. Shkova në shkollë për të marrë djalin, ndërsa një patrullë e policisë ishte prapa meje dhe e lëshoi rotacionin për të më ndalur. Ndalova, dola prej veturës dhe ata me kontrolluan mua dhe brenda veturës. Më pyetën se a kam diçka për të deklaruar, por iu tregova se kush jam dhe iu thash se nuk kam ndonjë dënim. Këtu edhe nis maltretimi, pasi më kanë goditur disa herë. Askujt nuk i kam bërë asgjë, ndërsa edhe dorën e kam të thyer”, ka thënë Kojasheviq.
Ai ka thënë se ditë më parë ka pasur ndeshje, në të cilën e ka thyer dorën.
“Ata më goditën pa asnjë arsye. Unë as nuk i rezistova dhe as nuk u grinda me ta. Unë fjalë për fjalë nuk bëra asgjë, njerëzit më ngacmuan. Më vonë më thirrën për të mos i denoncuar, për t’i kursyer, por nuk e kam ndërmend t’i dëgjoj. Dua që të dalë në dritë e gjithë kjo”, ka thënë Kojasheviq, i cili aktualisht luan për FK Istran, ndërsa ka luajtur edhe për Përfaqësuesen e Malit të Zi. Sipas tij, ai ka shkuar në polici dhe në fillim nuk i ka denoncuar, pasi siç thotë i ka ardhur keq.
“Por më vonë e pashë videon, kur pashë videon vendosa t’i padisja. Isha në Urgjencë, kisha një mavijosje në qafë. Gjithçka e kam në letër, si më goditën dy herë me grusht”, ka përfunduar Kojasheviq. Sulmuesi i krahut, për një periudhë të shkurtër ishte edhe pjesë e skuadrës së Feronikelit. Ai në vitin 2020 iu pat bashkuar ekipit nga Drenasi, me të cilin pati nënshkruar kontratë dyvjeçare. 35-vjeçari e ka çështjen në FIFA për borxhin që pretendon se ia ka Feronikeli, ekip tashmë i fuzionuar.