Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, u takua me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, me të cilin diskutuan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, diversifikimin e energjisë, integrimin evropian, si dhe çështjet aktuale gjeopolitike.
Takimi vjen pasi Kosova filloi implementimin e masës së qortimit për serbët që nuk i konvertojnë targat ilegale në ato të Republikës së Kosovës.
Sipas ministrisë së Jashtme serbe, Daçiq ka theksuar se Serbia vazhdon të insistojë në dialog dhe bën thirrje për ruajtjen e paqes.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pasi që biseda është mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.
Siç thuhet në deklaratë, Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin e tyre me partnerët nga Bashkimi Evropian në drejtim të vazhdimit të dialogut që do të sjellë rezultate konkrete.