Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.
Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza.
E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.
Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës – RKS.
Në intervistën dhënë REL-it, Bislimi flet edhe për një propozim franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.
Bislimi, po ashtu, flet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Besnik Bislimi: Ne shpresojmë se nuk do të ketë fare nevojë për ndarje të gjobave. Kjo në zhargonin publik po quhet qortim, por, në fakt, është një lloj informimi shtesë për këtë afatin prej 21 ditësh, gjatë të cilit qytetarëve u rekomandohet t’i konvertojnë targat e tyre nga ilegale në legale. Kapacitete administrative ka për t’i plotësuar këto kërkesa.
Ne nuk do të donim që asnjë qytetar të penalizohej, për shkak se ende gjendet brenda suazave të aktiviteteve jolegale, siç është puna e targave. Por, megjithatë, më duhet të them që deklaratat e Listës Serbe tregojnë edhe një herë se pse ka ndodhur ky problem.
Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat (lehtësimet) tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim.
Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara po insistojnë për shtyrje të plotë të afatit të riregjistrimit, siç po e quajnë. A po vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe a ka gjasa që ky vendim të ndryshojë?
Besnik Bislimi: Nuk besoj që ka arsye që ky vendim të ndryshojë. SHBA-ja, si vend mik, ka dhënë sugjerimet e veta për Republikën e Kosovës me idenë që kjo do të ndihmonte futjen në legalitet të të gjithë poseduesve të veturave me targa ilegale.
Ajo që mediave si duket po u ikë, është pikënisja e interesimit të SHBA-së. Askush nuk e konteston legjitimitetin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa janë ilegale dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa nuk është dashur të ekzistojnë fare – maksimumi pas janarit të vitit 2018. Do të thotë, ekzistenca e tyre tregon se Serbia i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.
Por, pikënisje për kërkesat për shtyrje të afatit vijnë kryesisht për dy arsye. E para, vijnë për shkak të një fushate të tmerrshme të dezinformimit dhe manipulimit të qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe e dyta për shkak të ekspozimit të skajshëm të këtyre qytetarëve ndaj kërcënimeve që u vijnë nga strukturat paralele të Serbisë.
Meqë kjo përbën problem edhe për neve, ne nuk kemi filluar me masa ndëshkuese dhe as me konfiskim të tabelave që nga data 1 nëntor, do të thotë i jemi përgjigjur edhe brengës së miqve ndërkombëtarë, që qytetarët në njëfarë mënyre duhet të mbrohen nga vetëintervenimi prej Beogradit dhe që ne, krahas kësaj pamjeje që u servohet qytetarëve të komunitetit serb në veri, të tregojmë fytyrën e kundërt të Qeverisë së Kosovës, si një Qeveri, e cila në vend të kërcënimeve, u ofron incentiva tatimore, dhe në vend të konfiskimit të menjëhershëm, siç e parasheh rregullativa, ne u mundësojmë atyre në disa faza që megjithatë të kalojnë nga ilegaliteti në legalitet.