Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se pala kosovare duhet të shkojë për njohje në dialog me Serbinë.
Haziri vlerësoi se çdo bisedim që nuk përfshinë njohjen reciproke, do jetë vetëm humbje kohe për Kosovën.
“Nuk ka kushte që ky proces të shkojë për mos njohje, pala kosovare duhet të shkojë për njohje. Çdo bisedim për Serbinë jashtë njohjes për ne është humbje kohe. Po degjenerohet nga mosnjohja, qytetarët po përgatiten për mosnjohje, mirëpo kjo nuk është e vërteta. E vërteta është që ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe partnerët ndërkombëtarë po angazhohen që të gjitha çështjet që palët të pajtohen, të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por nuk e eliminon asnjëherë njohjen si qëllim”, deklaroi Haziri në emisionin “Këndi i Debatit”.
Gjithashtu, Haziri theksoi se për Kosovën dhe Serbinë po punohet përpara pa asnjë kusht, teksa shtoi se që nga viti 2010 janë gjithsej tri faza të procesit të dialogut.
“Prandaj, si duket do të riformatohet, do të ristartohet, le të themi se do fillojë edhe njëherë fillimi i fundit për këtë fazë. Duhet të mbyllen disa nga çështjet që të dy palët mund të pajtohen, ky është qëllimi i faktorëve ndërkombëtarë”, shtoi tutje Haziri, raporton teve1.info.
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim të zhvilluar me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se mbetet i përkushtuar për njohje reciproke me Serbinë.