Një rast i tmerrshëm ka ndodhur para pak ditëve në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Një e moshuar, në një video të publikuar në rrjete sociale shihet se si sulmohet brutalisht nga një infermiere.
Për më tepër, ky akt çnjerëzor përcillet nga të qeshura nga infermieret tjera.
E kjo qendër për të moshuarit, krejt tjetër lloj përshkrimi ia jep “misionit” të vet, nga ajo që paraqitet në këtë video.
Kjo qendër thirret në atë se ka staf profesional e fort të trajnuar për trajtim të të moshuarve.
“Misioni ynë është të ofrojmë strehim dhe përkujdesje për të moshuarit e paaftë për tu kujdesur për veten dhe në pamundësi për tu kujdesur familjarët e tyre për ta. Këtë përkujdesje do ta ofrojmë nëpërmjet një stafi të kualifikuar e të trajnuar, kunddrejtë një pagese të caktuar, në ambiente tepër të rehatshme dhe në kushte sa më të mira, duke i bërë të ndjehen mirë emocionalisht, të buzëqeshur dhe sa më të gjallë”, thuhet në uebin e kësaj faqeje.
Madje kjo qendër thotë se respekton vlerat njerëzore, ndonëse një numër i madh infermieresh as që përpiqeshin ta ndalonin kolegen e tyre që godiste pa mëshirë të moshuarën.
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë ata që na drejtohen dhe që kanë nevojë për ne, duke i’u siguruar një mjedis të ngrohtë, me shërbime nga një personel i përkushtuar, qe respekton vlerat njerzore e dinjitetin personal”, thuhet tutje në përshkrimin e punës së kësaj Shtëpie.
Deri tash, në lidhje me rastin që ka bërë bujë të madhe në media e rrjete sociale, janë arrestuar dy persona.