Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj ish kryeministrave Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti, të cilët i bënë thirrje Kurtit që të tërhiqet për vendimin për targat.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se njëri e paraqet Qeverinë e Republikës së Kosovës si problem, ndërsa tjetri flet sikur mos të kishte Republikë.
“Të dy këta persona, kanë qenë Kryeministra të Republikës. Njëri duke pritë 6 orë Listën Serbe për formimin e Qeverisë. Tjetri, që përgjigjej serbisht në Bruksel. Meqë e kemi parë se si na kanë përfaqësuar deri tash, imagjinoni se si do ishim po të ishin ende në ato pozita”, ka shkruar Dugolli në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Dy ish-kryeministra të Republikës së Kosovës, një pas një po deklarohen se edhe pse Kosova është në të drejtën e saj, për shkak të presionit, që burim ka Serbinë, duhet të tërhiqet dhe të lëshojë pe.
Njëri, e paraqet Kryeministrin Kurtit si problem të sigurisë pa e thënë asnjë fjalë për kërcënimet e Vuciqit dhe veprimet e grupeve kriminale në veri.
Tjetri, flet për vitet e ’90 dhe për periudhën e para pavarësisë kur nuk ka pasur institucione të Republikës sikur të jetë situatë e njëjtë edhe sot në vitin 2022.
Pra, njëri e paraqet Qeverinë e Republikës së Kosovës si problem. Tjetri, flet sikur mos të kishte Republikë.
E përsëris edhe një herë. Të dy këta persona, kanë qenë Kryeministra të Republikës. Njëri duke pritë 6 orë Listen Serbe për formimin e Qeverisë. Tjetri, që përgjigjej serbisht në Bruksel.
Meqë e kemi parë se si na kanë përfaqësuar deri tash, imagjinoni se si do ishim po të ishin ende në ato pozita.