Në moshën 63-vjeçare ka vdekur doktori Bedri Bimbash pas një ataku kardiaku. Oda e Mjekëve të Kosovës me këtë rast ka ngushëlluar familjen Bimbashi, kolegët dhe miqtë e të ndjerit. Bedri Bimbashi, shërbimin në mjekësi e filloi në Skenderaj, në vitin 1985 deri në shtator 1999, në QKMF Skenderaj, në departamentin e emergjencës.
Ai ka shërbyer në QKMF dhe ambulanca në fshatra të ndryshme në Skenderaj gjatë luftës, për t’iu ofruar ndihmë qytetarëve të kësaj ane. Pas vitit 1999, Bimbashi, profesionin e zhvilloi në Mitrovicë, në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, në pozitën e mjekut fiziatër. Më pas zgjidhet edhe shef i repartit të Fiziatrisë, ku ka qenë i angazhuar deri tani.
Ndryshe, studimet për mjekësi e përgjithshme dhe specializimin për fiziatri i kreu në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës. Në vitet 1982 – 1985 ligjëroi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, lëndët Anatomi dhe Farmakologji. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në fshatin Llaushë të Skenderajt në orën 15:00.