Ish-kryeshefi i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër të akuzuar për korrupsion mbrohen në heshtje

Ish-kryeshefi i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër të akuzuar për korrupsion mbrohen në heshtje

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rigjykim janë mbrojtur në heshtje Ilir Dushi, ish-kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), dhe zyrtari Bersan Kolgecit, të cilët po akuzohen për korrupsion.

Dushi dhe Kolgeci thanë se mbeten në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimet e kaluara gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë administrimi i provave materiale të propozuara nga prokuroria.

Lidhur me këto prova, kishte vërejtje nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatet Skender Musa dhe Faton Hyseni.

“Kemi vërejtje në të gjitha provat e paraqitura nga ana e prokurores së shtetit, për shkak se këto prova paraqesin hierarkinë institucionale, detyrat kompetente të punës dhe në asnjë formë nuk paraqesin prova që inkriminojnë të mbrojturin tim për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet”, ka thënë avokati Musa.

Këtë deklarim e mbështeti edhe avokati Hyseni, i cili shtoi se vërejtjet do të i elaborojnë në fjalën përfundimtare.

Tutje, prokurorja Merrushe Llugiqi ka kërkuar nga trupi gjykues që fjala përfundimtare lidhur me këtë çështje të caktohet për një ditë tjetër, me arsyetimin se për shkak të angazhimeve të shumta nuk ka mundur të përgatisë të njëjtën.

E kjo kërkesë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla.

Fjala përfundimtari për këtë çështje u caktua të mbahet më 20 dhjetor 2022.

Dushi dhe Kolgeci po gjykohen për herë të katërt lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që Gjykata e Apelit këtë rast e ka kthyer në rigjykim tre herë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast kishte marrë aktgjykim dënues tre herë, në vitin 2017, 2018 dhe 2020, derisa rasti pritet të parashkruhet në vitin 2023.

Në gjykimin e parë, gjykata e shkallës së parë më 13 qershor 2017, Dushin dhe Kolgecin i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, Haki Ejupin me pesë muaj burg, kurse Edon Hajrullagen me 10 mijë euro gjobë.

Mirëpo, pas kthimit në rigjykim, i akuzuari Haki Ejupi ishte liruar nga kjo akuzë, vendim ky i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit derisa ishte kthyer në rigjykim për të akuzuarit Dushi dhe Kolgeci.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve iu kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh burg për secilin.

Kurse, më 5 shkurt 2020, gjykata kishte marrë aktgjykim me të cilin kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ku ndaj tyre ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Në këtë rast, i akuzuar për veprën penale “Prodhim i ndaluar” kishte qenë Edon Hajrullaga, mirëpo i njëjti me aktgjykimin e vitit 2017 dhe 2018 ishte dënuar me gjobë në lartësi prej 10 mijë euro, ndërsa në vitin 2020 ishte marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori, ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Në aktakuzë thuhet se këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435 mijë e 124 banderola, për 18 produkte medicinale, kështu që këtij subjekti i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për moslëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm”, sipas aktakuzës, ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Related Articles