Policia e Kosovës, konkretisht njësitë policore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – DHTN, si rezultat i punës hetimore dhe operative në teren, me datë 07.11.2022 rreth orës 11:00 në Fushë Kosovë kanë ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar i shoqëruar nga e dyshuara femër kosovare, nën dyshimin se i njëjti ishte duke transportuar substancë narkotike të llojit Heroinë.
“Pas ndalimit të mjetit të lartcekur përkundër tentativës së personit të dyshuar për të ikur nga vendi i ngjarjes, i njëjti është ndaluar nga zyrtarët policor ku gjatë kontrollit të realizuar tek automjeti i tij janë gjetur gjashtë paketime të mbështjellura, me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë me peshë prej gjithësej 3 kg 64 gr.”, ka njoftuar Policia.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kujdestar si dhe gjyqtari i procedurës paraprake me urdhër të së cilëve janë realizuar dy bastisje në dy lokacione të ndryshme, njëra në Fushë Kosovë e tjetra në Komoran me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si në vijim:
- Gjashtë paketime me substancë narkotike të llojit mariuhanë me peshë 102 gr,
- Një tabletë e gjysëm substancë e dyshuar e llojit ekstazi,
- Dy grindera
- Një peshore.
- Katër telefona mobil,
- Një veturë
Si dhe është sekuestruar sasia e lartcekur e substancës së llojit Heroinë prej 3kg 64gr.
Lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar dy femra dhe dy meshkuj kosovarë të përfshirë në rast, të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.