Një veturë me targa “RKS” është djegur sot në Komunën e Zveqanit në veri të Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Policia ka thënë se vetura e djegur i përkiste një gruaje me banim në Komunën e Zveqanit.
“Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveqanit”, ka thënë policia.
Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të
shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet.
Policia ka thënë se lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore.
“Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet në njoftim.