Serbia përgatit përforcim financiar për serbët që braktisën institucionet e Kosovës

Serbia përgatit përforcim financiar për serbët që braktisën institucionet e Kosovës

Serbët që braktisën institucionet e Kosovës, më 5 nëntor, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “do të kenë përkujdesje”.

Më 6 nëntor, në një prononcim në Tv Pink, ai deklaroi se kjo do t’i kushtojë shtetit 50 deri në 60 milionë euro, por nuk ka specifikuar se për çfarë “kujdesi” bëhet fjalë.

Kjo pikë nga deklarata e tij, nuk është përfshirë në rebalancin e buxhetit, për të cilin po diskutohet nga deputetët e Kuvendit të Serbisë.

Megjithatë, ajo që parashikohet në këtë rebalanc është ndarja e mjeteve financiare më të mëdha për Zyrën për Kosovën në Qeverinë serbe.

Siç shihet në draftin për këtë rebalancim në faqen e internetit të Kuvendit të Serbisë, për këtë institucion janë planifikuar edhe 15.5 milionë euro shtesë.

Pra, në vitin 2022, buxheti i përgjithshëm i Zyrës për Kosovën arrin në 84.4 milionë euro.

Pjesa më e madhe e rritjes i referohet mbështetjes për funksionimin e institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës, ndërkaq një pjesë më e vogël për mbështetjen e përmirësimit të cilësisë së jetesës së popullatës serbe dhe joshqiptare.

Siç thuhet në draftin për rebalancim të buxhetit, këto mjete do të shpërndahen dhe shfrytëzohen në bazë të një akti të veçantë që do të miratohet nga Qeveria e Serbisë.
Beogradi refuzon të njohë Kosovën si shtet që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Që atëherë Kosova ka institucionet e veta.

Megjithatë, Serbia i financon institucionet paralele në veri të Kosovës.

Fondet për Kosovën ndahen, jo vetëm përmes Zyrës për Kosovën, por edhe përmes ministrive.

Radio Evropa e Lirë (REL) u përpoq të merrte përgjigje lidhur me financimin e mundshëm të atyre që u larguan nga institucionet e Kosovës nga deputetët e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, si dhe nga ata të opozitës.

Millovan Drecun, kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën dhe Millenko Jovanov, anëtar i Komisionit parlamentar për çështje buxhetore, nga radhët e SNS-së, nuk ishin të gatshëm t’u përgjigjen pyetjeve.

Deputetët nga radhët e opozitës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, në parim e mbështesin idenë që qytetarët që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, të kenë mbështetjen e shtetit, por theksojnë se kjo përfshin disa çështje.

Radomir Llazoviq, anëtar i lëvizjes opozitare “Të mos e mbysim Beogradin” (Ne davimo Beograd), thotë se për momentin nuk është folur për mbështetje financiare për qytetarët që kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Ai konsideron se një masë e tillë duhet të prezantohet para deputetëve.

“Për çfarë bëhet fjalë këtu? A bëhet fjalë për ndonjë masë të përkohshme, sa do të zgjasë, si do të ndihmohen, kjo është e gjitha në domenin e imagjinatës së presidentit dhe mendoj se kjo është keq. Presidenti nuk ka kompetenca të merret me këtë”, thotë Llazoviq.

Qëndrimi kësaj lëvizjeje është se Kosova është një “shtet brenda shtetit”, si çështje që nuk është zgjidhur, se opinioni është në errësirë për këtë çështje dhe se për këtë arsye është e nevojshme që opozita të marrë pjesë në të gjitha bisedimet për Kosovën

Tamara Millenkoviq-Kerkoviq, deputete nga subjekti opozitar i djathtë, Lëvizja Dveri, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja angazhohet për subvencionet dhe mbështetjen për serbët që jetojnë në Kosovë.

Dveri mohon fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet për ndërprerjen e integrimit evropian të Serbisë.

Tamara Millenkoviq-Kerkoviq, megjithatë, shtron pyetjen:

“Çfarë kanë bërë deri tani ata njerëz në institucione, a kanë marrë paga të dyfishta. Duhet të shihet se kujt do t’i jepet ajo ndihmë, sa do të jetë dhe në çfarë mënyre do të verifikohet se kujt i takon”.

Në prill të vitit 2014, Komisioni anketues për mënyrën e shpenzimit të mjeteve nga buxheti i Serbisë në territorin e Kosovës në periudhën prej vitit 2000 deri në vitin 2012, ka konstatuar se ekziston një numër i madh i të punësuarve që marrin paga të dyfishta – nga buxheti i Kosovës dhe buxhetin e Serbisë.

Sanda Rashkoviq-Iviq, deputete nga Partia Popullore opozitare, thotë për REL-in se shteti duhet “të qëndrojë pranë atyre njerëzve”.

“Pesëdhjetë milionë euro – kjo nuk është as sa një e treta [e investimeve] në stadiumin kombëtar të futbollit. Nuk është shumë, fondet mund të ridestinohen. Po shpenzohen shuma të mëdha parash për diçka që është e panevojshme dhe mendoj se është e nevojshme të ndihmohen njerëzit në këtë moment”, thotë Rashkoviq-Iviq.

Related Articles