Ministria e Shëndetësisë dyshohet se ka vepruar kundërligjshëm në tenderin për furnizim me insulina Analoge të shpallur në janar të vitit 2021.
Bazuar në dosjen e tenderi të cilën e ka siguruar “Gazeta Blic” Ministria e Shëndetësisë, në rastin konkret si Autoriteti Kontraktues, në shkurt të po atij viti kishte përzgjedhur fitues të tenderit për furnizim me e insulina Analoge Operatrin Ekonomik “Pharma Leader”, e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë, krahasuar me OE të tjerë që kishin marrë pjesë në tenderim.
Pavarësisht kësaj, OE “Meditech” ishte drejtuar me ankesë në zyrën e Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë ku më pas tenderi kthehet në rivlerësim dhe komisioni i ri vlerësues shpall fitues kompaninë “Meditech” me çmim më të lartë prej 395,151.00 euro në raport me ofertën e “Pharma Leader”
Në tetor të vitit 2022 Ministria e Shëndetësisë njofton “Pharma Leader” se janë eliminuar nga tenderi me arsyetimet se nuk i kanë plotësuar kërkesat e vlefshmërisë, me ç’rast tenderi i tyre ishte shpallur i papërgjegjshëm.
E pakënaqur me vendimin e MSH, “Pharma Leader” ishte drejtuar me ankesë në zyrën e Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili i jep të drejtën, duke e konsideruar si të bazuar ankesën e parashtruar në OSHP.
Me këtë vendim OSHP kishte gjobitur zyrën e prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë me 5,000.00 euro si dhe ka kërkuar që zyrtarit kryesor të Prokurimit t’i revokohet licenca për shkak të shkeljes së dispozitës së nenit 25 të paragrafit 8 LPP.
Por, përkundër kësaj, zyra e prokurimit ka nxjerr një vendim të ri, në kundërshtim të plotë me vendimin e OSHP-së, ku dy kompanitë të cilat kanë qenë në garë “Meditech” si dhe “Pharma Leader” i ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe ka lënë në fuqi anulimin e këtij tenderi.
Në orët e pasdites të asaj dite, me vendim të sekretarit të ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi është formuar ekipi për ndryshimin e udhëzimit administrativ 02/2014, për të zgjatur jetën monopolit për furnizim me insulina të shtrenjta.
Ky udhëzim është ndryshuar brenda pak orëve, pa një debat publik dhe pa përfshirjen e të gjitha palëve.
Me udhëzimin e ri Administrativ lejohet pa Autorizim Marketing import të produkteve pa paralele për sasi të kufizuar deri në tremijë 3000 kuti brenda vitit dhe nuk tejkalon vlerën prej pesëdhjete mijë 50 mijë euro.
Lidhur me këtë situatë “Gazeta Blic” ka kërkuar sqarim nga Ministria e Shëndetësisë, e cila përmes postës elektronike ka konfirmuar ndryshimin e UA.
Sqarimi i plotë i MSH pa ndërhyrje:
Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin bazuar ne nenin 62 te LPP-se, për arsyet e potencuara nga komisioni i rivlerësimit, e arsye kryesore është se për Insulina Analoge kërkesa e MSH-se duhet te jete vetëm me Autorizim për Marketing, konform dispozitave qe parashihen me Ligjin Nr.04/L-190 për Produktet dhe Pajisjet Medicinale, e jo ne formën se si është proceduar ky aktivitet, ku është lënë mundësia për keqinterpretim dhe alternative ne mes AM dhe UA 02/2014. Ka edhe arsye administrative si: Ofertat kanë ndërprerje te vlefshmërisë për rreth 45 dite, ka mospërputhje tek përshkrimi i sasisë orientuese prej 12 muaj ne Përshkrimi i Çmimeve dhe 24 muaj ne kërkesë dhe ne dosje te tenderit.
Është aprovuar Udhëzimi i ri Administrativ Nr. 01/2022 për Thjeshtësimin, Regjistrimin dhe Importin e Produkteve Medicinale, te cilat nuk kane paralele te regjistruar ne Republikën e Kosovës, i publikuar ne Gazetën Zyrtare, i cili e ka shfuqizuar UA te kaluar Nr. 02/2014.
Ministria e Shëndetësisë e ka te iniciuar aktivitetin e ri në vitin 2022 për furnizim me Insulina analoge për 12 muaj, te cilin përkohësisht e kemi pezulluar për shkak te efektit që ka krijuar aktiviteti i vitit 2020 për të cilin ka pasur ankesa. Jemi në pritje te përmbylljes se aktivitetit te vitit 2020 në mënyrë që te vazhdoj procedura e rregullt me qellim te kontraktimit sa me te shpejte te Insulinave analoge në te mirën e rreth 15,000 qytetareve insulin-vartës.
Si Ministri e Shëndetësisë jemi te përkushtuar në respektimin e ligjeve në fuqi dhe në përputhje me dispozitat ligjore respektive do të ndërmirren veprimet që furnizimi me Insulina te mos ketë ndërprerje dhe mos te dëmtohen qytetaret me diabet. Gjithashtu te respektohet konkurrenca dhe ligjet në fuqi.
Për rastin “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe dy kompanitë farmaceutike të përfshira në tenderim.
“Pharma Leader” ka pranuar të jap versionin e saj për tenderin për furnizim me insulina analoge nga Ministria e Shëndetësisë, ku me ç’rast edhe kanë akuzuar disa zyrtar për shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave të tyre.
Agron Sadiku, përfaqësues i “Pharma Leader” i tha “Gazeta Blic” se Ministria e Shëndetësisë në rastin e tenderimit ka vendosur ta ruaj monopolin 20 vjeçar në furnizim me insulina analoge, për siç ka thënë ai duke e favorizuar kompaninë me çmimin me të lartë.
Ai pretendon se edhe me vendimin për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje, me kufizimin vendosur në importimin e produkteve paralele. Për çka sipas Sadikut, do ta nxitë edhe më tepër funksionimin e tregut të zi në vend, në importin e produkteve farmaceutike, të cilat sipas tij mund të jenë të dëmshme për pacientët, në mungesë të filtrave verifikues.
Për dallim prej “Pharma Leader” kompania tjetër “Meditech” ka refuzuar të prononcohet, me arsyetimin se e vërteta qëndron në anën e tyre dhe se nuk kanë arsyje për të dhënë sqarime para kamerës.
Shkelzen Fetiu nga “Meditech” fillimisht javën e kaluar kishte konfirmuar përmes telefonit për “Gazeta Blic” se të hënën e 7 nentorit mund të jap një sqarim lidhur me tenderin, por pasi është kontaktuar nga redaksia për herë të dytë, ai kishte refuzuar ta bënte atë.