Një rast dhune dyshohet se ka ndodhur të martën në një motel të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se ka ushtuar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas me të cilën kishte bashkëjetuar për një kohë.
Viktima e ka denoncuar të dyshuarin në Polici, ndërkohë që ndaj tij kanë nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme derisa viktima dhe i dyshuari ishin në një motel, ku dyshohet se pati dhunë fizike. I riu A.Z., u denoncua në Polici se e ka sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij, duke e goditur me grushte e tërhequr zvarrë për flokëve, derisa i shkaktoi lëndime trupore.
Sinjali mëson se rastit i ka paraprirë një konflikt i ashpër mes tyre, pasi i dyshuari i kishte kërkuar viktimës të tregojë për lidhjen e dashurisë që kishte pasur më herët, ashtu që debati kishte eskaluar deri në atë pikë, sa i dyshuari përveç që e rrahu brutalisht, ia dëmtoi edhe veturën viktimës.
Posa Policia është njoftuar për rastin, ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë si dhe është hapur rast ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.