Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të bëhet një samit disa ditor në Amerikë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai në kuvend tha se janë disa veprime që duhet bërë në raport me gjendjen e shkaktuar së fundmi në veri, duke kërkuar fillimisht nga qeveria të bashkohen me opozitën për pranimin e kërkesës për shtyrjen e vendimit për targat.
“Veprimi i parë është pranimi i kërkesës për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshje. Qeveri, ju lutem të bashkohemi në veprimin e parë. Veprimi i dytë është dialogu me serbët lokalë, me serbët e Kosovës, jo vetëm nga kjo foltore, por dialog intensiv për t’i kthyer ata në institucione. Veprimi i tretë, dialogu intensiv i qeverisë me opozitën, jo vetëm për shkak të konferencave, për shtyp ose fotografive e poentave, por për shkak të gjendjes. Veprimi i katërt, një samit disa ditor në Amerikë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi mes Kurtit e Vuçiqit”.
I pari i AAK-së, tha se ikja nga këto veprime, mos hyrja në temë e shëtitjet nëpër Evropë, nuk e ndihmojnë gjendjen.
“Çdo sekond po na kushton, çdo ditë po na kushton. Askush s’do të jetë më pak fajtor, s’do të jetë faji vetëm i pozitës, por të gjithë e bartim peshën e pasojave që vijnë si vend”, tha ai.