Insistimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitetin në targa ndaj Serbisë po e cilëson si të gabuar dhe shkaktar të situatës së tensionuar në veri, gazetari dhe analisti serb, Branisllav Krstiq.
Ai në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, thotë se Kurti është dashur t’i dëgjojë këshillat e aleatëve ndërkombëtarë se nuk është koha për këtë vendim.
“Faktet tregojnë se shteti i Kosovës ishte në një proces të implementimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Kemi marrëveshje për çështjet elektro-energjetike dhe kemi marrëveshjen e para disa ditëve për lëvizjen e qytetarëve. Kjo do të thotë se Qeveria e Prishtinës ka pasur shumë sukses në negociatat me Beogradin zyrtar”, deklaron Krstiq.
“Me vendimin e fundit, pas paralajmërimit nga aleatët e shtetit të Kosovës, që nuk është koha për të insistuar, dikush në Qeverinë e shtetit të Kosovës ka vendosur që të mos e pranojë atë këshillë dhe s’e ka dëgjuar mendimin e qytetarëve të veriut. Ne si gazetarë e analistë e kemi provuar që ta paralajmërojmë kabinetin e z. Kurtit që gjërat nuk shkojnë në atë drejtim. Kemi pasur shembull kur është djegur vetura e pjesëtarit të policisë të shtetit të Kosovës. Askush nuk është arrestuar dhe kemi pasur një ambient kur shteti i Kosovës nuk kontrollon gjërat ashtu siç është e nevojshme për të implementuar vendimin që kanë marrë”.
Ai tutje thotë se insistimi i kreut të ekzekutivit kosovar për targat i ka mobilizuar edhe serbët të cilët e kanë pranuar realitetin e shtetit të Kosovës.
“Reciprocitet është kur unë të sulmoj ty edhe ti ma kthen mua, e kjo shkon në drejtim shumë të keq ku janë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në veri kemi një situatë ku qytetarët serbë që janë duke u pajtuar me kryeministrin Kurti që Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë në Kosovë, por me këtë vendim që ka bërë z Kurti i ka mobilizuar edhe ata që kanë qenë kundër Listës Serbe dhe politikës së Vuçiqit dhe që janë duke pranuar realitetin e shtetit të Kosovës”.
Sipas tij, vendimi i ekzekutivit kosovar për shqiptimin e fletëqortimeve dhe gjobave ndaj qytetarëve serbë të cilët nuk i konvertojnë targat në RKS, është i papranueshëm dhe “vetëvrasje politike”.
Kjo pasi siç thotë, pronarëve të veturave që po e bëjnë një gjë të tillë po u digjen veturat brenda natës.
“Insistimi në dënimet është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm. Është vetëvrasje politike kur dikush që e di se ka marrë një vendim të keq, insiston edhe për dy hapa në bërllok. Unë jam pronar i një veture 10 mijë euro dhe dua ta regjistroj në RKS, nëse kaloj në veri për një natë e kam veturën e djegur. Kryeministri i kupton këto gjëra por nganjëherë shkon në atë drejtim pa i dëgjuar gjërat”.
Analisti serb shprehet i bindur se kjo situatë do të kalojë pa incidente serioze, megjithatë paralajmëron që nëse kreu i qeverisë kosovare dërgon forca policore në veri, atëherë situata do të përshkallëzohet.
“Jam i bindur se këtë situatë do ta kalojmë pa incidente serioze. Serbët e veriut janë falënderues që z Kurti e ka kuptuar se nuk është momenti që t’i dërgojë forcat policore në veri. Nëse ndodh ashtu, atëherë do të kemi konflikt serioz”.
“Besoj se ne kosovarët boll kemi luftuar. Po flas edhe për shqiptarët dhe serbët. Me humb vetëm edhe një jetë të dikujt – nuk shkon. Boll është. E kemi ardhmërinë. Jemi në shekullin 21, shekullin e digjitalizimit e në flasim për tabelat. Ne e duam jetën. Unë jam duke jetuar me tre fëmijë në veri. Jam i shqetësuar për ata”.
Sipas tij, çdo qytetar i Kosovës që jeton në veri ka menduar se Beogradi zyrtar ka hequr dorë nga Kosova, por tani thotë se janë zgjuar ëndërrat për autonomi.
“Tash kemi ëndërr se, pra po flas në emër të qytetarëve, se mund të fitojmë autonomi e pak është në pyetje ndarja e shtetit të Kosovës. Në protestën që e kemi pasur para disa ditëve nuk kemi pasur flamuj serbë, kemi pasur flamuj të shtetit të Serbisë që do të thotë se sipas Kushtetutës së Serbisë, ata flamuj nuk janë për rrugë, por vetëm për institucione zyrtare e ambasada. Një mesazh nga Beogradi – kjo është Serbia. Jam i kënaqur se më duket që edhe Prishtina tash është më tolerante. Gjërat me siguri do të zhvillohen në paqe, jam i sigurt. E kemi tash takimin Kurti-Vuciq dhe ndërkombëtarët janë më shumë të interesuar. Në fund jam i sigurt se dëmet i kemi serioze – nuk kthehen në institucione ata që janë larguar”.
“Më duket se jemi në fillim. Jemi në situatë kur Beogradi ka një situatë të re për negociata. Jemi duke fol tash për Asociacionin. Marrëveshja me aleatët tanë ndërkombëtarë është shumë e nevojshme sepse pa Amerikën nuk e kemi shtetin tonë këtu në Kosovë. Tash duhet vetëm të dëgjojmë dhe asgjë më tepër e gjërat shkojnë si duhet”, shprehet Krstiq.
I pyetur se si kanë ndikuar këto zhvillime në jetën e tij dhe të qytetarëve tjerë serbë që jetojnë në veri, analisti serb thotë se nuk është e lehtë të pranosh ide nacionale e etnike nga Beogradi.
“Nuk është lehtë sepse nëse je duke punuar në 10 ose 15 vitet e fundit dhe vjen një ide nga Beogradi, një ide nacionale etnike kur duhet me pranua atë vendimin e njëanshëm nga ana e Beogradit. A është ajo veç një vendim i njëanshëm apo si rezultat i politikës së reciprocitetit”.