Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën do të udhëtojë për në Bruksel për t’u takuar me liderët e Ballkanit Perendimor, raporton Gazeta Enigma.
Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, takim ky të cilin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.
“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas Kryeziut, ky forum është mundësi e mirë për të zhvilluar diskutimin mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit”, ka thënë ai.