311 kadetë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) sot me një ceremoni shtetërore kanë dhënë betimin e tyre si ushtarë të rinj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë ceremonisë së kadetëve të rinj ka thënë se sot po përmbyllet një fazë e rëndësishme e rekrutimit të 311 ushtarëve të rinj.
“Sot po përmbyllet kjo fazë e rëndësishme e rekrutimit përmes certifikimit të 311 ushtarëve të rinj. Ushtria jonë po rritet e po forcohet në Kosovën tonë sovrane e demokratike. Ushtria është e shtetit dhe shteti është i popullit. Por, për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund, sakrificë e përpjekje”.
“Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liri jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme. Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie. E kjo vlerë u rrit me mençuri. Për ta mbrojtur shtetin tonë e kemi FSK-në”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por siç tha Konjufca Kosova po ndihet e kërcënuar nga Serbia.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm si popull se gjithçka që arritëm e bëmë së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë. Orientimi ynë është i qartë. Duam të jemi pjesë e NATO-s, Aleancës më të fuqishme të botës që i përfshin shtetet demokratike. Nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, jemi republikë demokratike”.
“Por ndihemi të kërcënuar nga Serbia. Paqja jonë po rrezikohet nga agresioni i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropian pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova”, ka thënë Konjufca.