Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se çuditesh me anomali të planifikimit buxhetor për 2023.
Sipas tij, ura mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit ka gati dy vjet që është e papërdorshme nga vërshimet e janarit 2021.
Deputeti i LDK-së thotë se ajo urë i lidh shumë fshatra të Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë.
Ndër të tjera, ai shtoi se komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës ka vlerësuar se ura është dëmtuar dhe është në rrezik të shembet.
Kësisoj, Hoti shprehet se asnjë intervenim nuk është bërë për dy vite, edhe pse shton se e ka ngritur si çështje urgjente edhe në dhjetor të vitit të kaluar, kur është miratuar buxheti i vitit 2022.
“Shihni anomalitë e planifikimit buxhetor: planifikojnë 400 mijë euro për këtë urë për vitin 2023, 600 mijë për vitin 2024 dhe 500 mijë për vitin 2025. Me këtë ritëm, ndoshta kjo urë ndërtohet në vitin 2026. Këta njerëz nuk janë në terezi”, shkroi ligjvënësi opozitar me anë të një shkrimi në Facebook.