Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se momenti më i dhimbshëm për të, ka qenë në vitin 2010, kur është vrarë një zyrtar i KQZ-së, nga radhët e boshnjakëve.
“Po, njëri prej momenteve më sfidues dhe i dhimbshëm, ka qenë kur në vitin 2010, është vrarë një zyrtar i KQZ-së, nga radhët e boshnjakëve, në Mitrovicën Veriore, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme dhe bukur sfiduese, është lidhur me çështjen e sigurisë dhe sot po me duket ka mbetur çështje sfiduese”, ka thënë Daka.
Në lidhje me zgjedhjet në komunat në veri, Daka tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka vepruar sipas Kushtetutës.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vepruar ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet lokale, në momentin kur katër komunat në veri, është dashur me patjetër, të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre komunave”, shtoi ajo.
“Po ajo është çështje tjetër, sa do të ketë interes dhe sa do të ketë interesim nga subjektet politike, po ajo është çështje që është dashur të ndodhë, është dashur të shpallen këto zgjedhje”.
“Ne nuk mundemi me parashiku se çka do të ndodhë, ende nuk dihet se sa subjekte politike do të marrin pjesë, sa kandidatë do të jenë dhe nga cilat subjekte do të jenë, aq sa do të ketë kandidatë, ato do të jenë legjitime”.
Ajo përmendi se ka pasur zgjedhjet në veri që nga viti 2013, mirëpo këtë herë, Daka shton se do të jenë më të vështira të organizohen, njofton Klankosova.tv.
“Ne kemi pasur zgjedhje që kemi organizuar në veri që nga viti 2013, mirëpo ato kanë qenë me një klimë krejt tjetër, sepse kanë qenë të them produkt i marrëveshjes së Brukselit, ku të gjithë subjektet politike, edhe nga radha e serbëve, janë dakorduar që të mbahen zgjedhjet, pa ndonjë marrëveshje konkrete është bukur vështirë të organizohen zgjedhjet atje”, ka theksuar Daka.