Kryediplomatja, Donika Gërvalla reagoi dje para NATO-s e para Polonisë lidhur me ngjarjet e ndodhura mbrëmë dhe raportimet për rënien e dy raketave ruse në një fshat polak afër kufirit me Ukrainën.
Madje, Gërvalla e pati edhe një porosi për BE-në. Ju tha që të veprojë shumë më të vendosur për të ndaluar Putinin përpara se ai dhe përfaqësuesit e tij të sjellin luftë në të gjithë kontinentin.
Por, shefi i NATO-s e presidenti i Polonisë kanë dhënë deklarimet e tyre tek sot.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se nuk ka indikacione se shpërthimi i raketës në Poloni është rezultat i një sulmi të qëllimshëm.
Ai shtoi se hetimet janë duke vazhduar dhe se duhet pritur përfundimi.
Ndërsa, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se raketa ruse që ra në vendin e tij dhe vrau dy persona ishte “ndoshta një incident fatkeq”.
Pra, nuk është vlerësuar si sulm i drejtpërdrejtë për Poloninë.
Edhe ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj- Stublla veprimin e Gërvalles e ka cilësuar si të ngutshëm e të pamatur.
Ajo për lajmi.net tha se Kosova do të duhej të ishte fort e kujdesshme kur flet për tema të sigurisë globale.
“Mbrëmë kemi parë Ministren Gërvalla të reagojë në mënyrë impulsive dhe të pamatur ndaj zhvillimeve në fjalë, pa patur info të sakta. Për deklarimet e nivelit të tillë ndërkombëtar, e aq më shumë të nivelit të sigurisë globale siç është lufta në Ukrainë, Kosova do të duhej të jetë super e kujdesshme. Shto këtu faktin se Kosova Ambasadën më të afërt në atë rajon e ka në Çeki (Pragë), dhe informatat i ka të mangëta , do të duhej të pritet minimalisht derisa të reagojnë aleatët tanë strategjik (SHBA, Quinti) e tek pastaj të deklarohet kujdesshëm dhe në terma të përgjithshëm.”, theksoi Haradinaj- Stublla për lajmi.net.
Po ashtu, ajo u shpreh se Kosova në politikën ndërkombëtare rreshtohet prapa SHBA-ve, në rradhë të parë dhe çdo pozicion shtetëror do të duhej të koordinohet me ta, dhe qëndrimi të publikohet tek pas reagimit të Quintit.
“Siç dihet, Kosova në politikën ndërkombëtare rreshtohet prapa SHBAve në rradhë të parë, dhe çdo pozicion shtetëror do të duhej të koordinohet me ta, dhe të qëndrimi të publikohet tek pas reagimit të Quintit. Mbrëmë kemi parë Ministren Gërvalla të reagojë në mënyrë impulsive dhe të pamatur ndaj zhvillimeve në fjalë, pa patur info të sakta”
Sipas Haradinaj- Stublla, deklarimet e tilla të ngutshme padyshim që e dëmtojnë diplomacinë kosovare.
“Kur kemi reagime si mbrëmë në tema me vëmendje të lartë ndërkombëtare, deklaratat e pamatura, të ngutshme, e të pakoordinuara me aleatët që i kanë informatat e plota, e dëmton jashtëzakonisht shumë kredibilitetin e Kosovës si shtet.”, deklaroi ai.
Ish- ministrja e Punëve të Jashtme shtoi tutje se “Twitter” është mjet komunikimi ndërsa, për MPJD-në është bërë armiku kryesorë.
“Janë dy vjet të kësaj qeverie tanimë, dhe këto lëshime janë bërë të papranueshme dhe denigruese. Tëitteri është mjeti kryesor i komunikimit publik në diplomacinë botërore, dhe pikërisht ky mjet komunikimi, në vend se të bëhet ndihmesë për të amplifikuar të vërtetën e Kosovës në botë, fatkeqësisht është shndërruar në armikun kryesor të MPJD-së.”, vijoi ajo.
Kujtojmë se raketa që ra në një fshat polak në kufi me Ukrainë la të vdekur dy persona.
Polonia dhe anëtarët e NATO-s ishin të kujdesshëm në reagimet e tyre menjëherë pas raportimeve të para, derisa të përfundonte një hetim i plotë.
Teksa sot pati raportime nga mediat ndërkombëtare se raketa mund të ketë qenë si pasojë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.