Gazeta serbe: Për shkak të Kurtit, Serbia abstenoi për një rezolutë të OKB-së kundër Rusisë

Gazeta serbe: Për shkak të Kurtit, Serbia abstenoi për një rezolutë të OKB-së kundër Rusisë

Serbia ka abstenuar në rezolutën e Kombeve të Bashkuara që kërkon që Rusia t’i paguajë Ukrainës dëmshpërblimet e luftës.

Dhe arsyeja mund të jetë e çuditshme.

Sipas mediumit serb “Nova”, që i referohet burimeve diplomatike, ky abstenim u bë për shkak të Albin Kurtit. Meqë kryeministri i Kosovës kërkon që Beogradi të paguajë dëmshpërblimet e luftës, kjo gazetë thotë se kjo mund të jetë arsyeja e abstenimit të Serbisë në OKB.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi së fundmi një rezolutë ku thuhet se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin ndaj Ukrainës dhe duhet t’i paguajë dëmshpërblimet e luftës Kievit.

Për këtë rezolutë votuan 94 anëtarë të OKB-së, ndërsa abstenuan 73 vende, përfshirë edhe Serbinë. Menjëherë u ngrit pyetja se pse Serbia abstenoi dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë.

Sipas burimeve diplomatike për Novas, Serbia ishte e përmbajtur që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mos e përdorte këtë si argument për të “ri-imponuar çështjen e dëmshpërblimeve të luftës për konfliktet e viteve nëntëdhjetë.

“Këtë argument pala serbe ua ka përcjellë partnerëve perëndimorë, të cilët sipas burimit tonë “kishin mirëkuptim për vendimin e lartpërmendur””, thuhet në raportin e këtij mediumi.

“Serbia nuk ka mundur të votojë për atë propozim sepse po krijojmë një precedent të madh, duke pasur parasysh se Kurti insiston në çështjen e dëmshpërblimeve të luftës”, tha një burim nga qarqet diplomatike.

Ky burim ka sqaruar për gazetën serbe se çështja e reparacioneve lind gjithmonë në fund të një lufte, por që tani ishte në agjendën e OKB-së, nuk mund të jetë në interes të Serbisë.

Related Articles