Haxhiu: Do të adresojmë problemet që të burgosurit të trajtohen me dinjitet

Haxhiu: Do të adresojmë problemet që të burgosurit të trajtohen me dinjitet

“Ndryshimi”, është titulli i filmit që shpërfaq historinë e një të riu që bie pre e një mashtruesi dhe i njëjti është përdorues i substancave narkotike.

Filmi i metrazhit të shkurtër është shfaqur sot në Prishtinë nga misioni i Eulex-t dhe Shërbimi Korrektues, që përshkruan rrugëtimin rehabilitues të një të miturit që ishte në konflikt me ligjin.

Shefi i Eulex-it ka thënë se të miturit pas vuajtjes së dënimit po ballafaqohen me vështirësi për tu kthyer në shoqëri.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë theksoi se janë të përkushtuar që të adresojnë problemet me të cilat po përballen të miturit.

Para shfaqjes së filmit, ministrja Haxhiu tha se të miturit shpesh janë viktimë e pasojave që shkaktohen, e të cilat janë faktor edhe për veprimet e tyre.

“Kemi një popullsi të re me të mitur në secilën lagje, fshat e qytet. Shumë prej tyre nuk i kanë mundësitë ekonomike familjare për të zhvilluar pasionet, talentet në drejtimet ku duan të inspirojnë… Të miturit janë mosha delikate, e cila premton shumë dhe për të cilën institucionet duhet të kenë vëmendjen e shtuar në vazhdimësi. MD në vazhdimësi po ashtu unë si ministre dhe Qeveria e Kosovës do të bëjë gjithçka që problemet që i kemi t’i adresojmë sa më parë, në mënyrë që edhe të burgosurit të trajtohen me dinjitet dhe kur ta përfundojnë dënimin e tyre të integrohen në shoqëri”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Shefi i Misionit të Eulex-it, Lars Gunnar Wigemark tha se të miturit që kryejnë vepra penale kanë problem të rikthehen në shoqëri për shkak të stigmës.

“Të gjithë të miturit që kryejnë vepra penale, shpesh herë janë viktimë e mjedisit ku jetojnë. Sjelljet e tyre janë pasojë e vështirësive që kalojnë. Të miturit kanë nevojë për vëmendje dhe vëmendje të veçantë, çështje e veçantë shërbimet cilësore dhe të kujdesit të rehabilitimit të tyre. Konventa e OKB-së, që është pjesë e kornizës ligjore të Kosovës e pranon nevojë për sistem të veçantë drejtësie për të miturit, ata nuk mund të trajtohen si gjithë të rriturit e tjerë. Kjo bazohet se të rriturit dallojnë nga të miturit në aspektin psikologjik dhe kjo i bën ata më pak fajtor kur bien ndesh me ligjin. Burgjet nuk janë vende ku duhet të mbahen të miturit dhe sistemi i drejtësisë për të miturit duhet të përqendrohet te siguria dhe integrimi i tyre në shoqëri”, ka thënë ai.

Ai theksoi se të miturit kanë vështirësi që të rikthehen në shoqëri, pas vuajtjes së dënimit në institucionet korrektuese.

“Shpesh herë të miturit kanë vështirësi të gjejnë punësim në shoqëri, apo edhe për tu pranuar në këto institucione arsimore për shkak të stigmës në kohën që e kanë kaluar ata në institucionet korrektuese. Dhe kjo ndodhë edhe kur ata me sukses kanë përfunduar kohën e tyre të rehabilitimit edhe pasi të kenë fituar aftësitë e tyre për vende të punës. Ky fenomen nuk është tipik për Kosovën, por simptomë e besimit më të gjerë se nëse dikush ka kryer vepër penale, ai ose ajo nuk mund të rehabilitohet”, ka shtuar ai.

Zyrtarja e Shërbimit Korrektues, Magbule Shaqiri tha se qëllimi i realizimit të këtij filmi është vetëdijesimin e të rinjve për pasojat që shkakton përdorimi i narkotikëve.

“Paraqet një histori të një të riu, i cili bie pre i një mashtruesi ku pastaj përballet me vështirësi të mëdha. Ndryshimi lind pikërisht atëherë kur personi vet vendos të ndryshojë dhe t’u besojë profesionistëve. Shpresoj që ky film të kontribuojë në parandalimin të përfshirjes së të rinjve në përdorimin e substancave narkotike”, ka përfunduar ajo.

Sipas saj, burgu nuk është vendi ideal për të ndryshuar njerëzit, por nëse ndodhë kjo atëherë duhet të bëhet riintegrimi i të miturve.

Related Articles