“Rren e shpifje” i ka quajtur Bedri Hamza akuzat e deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, kinse kryetari i Mitrovicës së Jugut është takuar me anëtarë të Listës Serbe në një takim dyorësh.
Hamza, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka deklaruar se gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizin, si dhe atë të Skenderajt, Fadil Nura, duke përgënjeshtruar deputetin Thaçi.
“Gjatë ditës së sotme, me ftesë të kryetarit të Vushtrrisë, z. Idrizi, unë dhe Z. Fadil Nura kemi zhvilluar nje drekë pune për të diskutuar për zhvillimet në ndërmarrjen e përbashkët komunale “Uniteti”. Gjatë kësaj dreke, unë as nuk kam parë, as nuk kam biseduar me asnjë anëtar apo deputet të Listës serbe”, ka deklaruar ai.
“Sa i perket gënjeshtrave dhe shpifjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Halil Thaçi, do të ballafaqohemi së shpejti në gjykatë!”, përfundon deklarimi i tij.