Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Kosova e ka mundësinë që të përfundojë marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë, që do t’i hapte asaj rrugën për anëtarësim në NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Kështu ka deklaruar Haradinaj në Facebook, ku ka shtuar se, edhe pse ai ka provuar shumë herë që ta këshilloj kryeministrin Kurti, lidershipi i Kosovës ka dështuar ta kuptojë rëndësinë e rolit amerikan në këtë proces.
Tutje, i pari i AAK-së ka shtuar se në bashkëbisedim me qytetarë në Drenas, ka shprehur shqetësimin e tij për, siç ka thënë ai, paaftësinë dhe dështimet e qeverisë së Kosovës në sferën ekonomike dhe energjetike.
Postimi i plotë:
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shtete të respektuara, ka institucionet dhe ushtrinë e vet. Në këtë fazë ne kemi mundësinë që të përfundojmë marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë, që do t’i hapte vendit tonë rrugën për antarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Edhepse shumë herë kam provuar ta këshilloj kryeministrin, lidershipi i vendit tonë ka dështuar ta kuptojë rëndësinë e rolit amerikan në këtë proces.
Për këtë proces jetik për Kosovën, bashkëbisedova sonte me qytetarët në Drenas.
Gjithashtu kam shprehur besimin tim të plotë për aleatët tonë strategjik dhe kam shprehur shqetësimin tim për paaftësinë dhe dështimet e qeverisë së Kosovës në sferën ekonomike dhe energjetike.
Kosova duhet të bëjë hapa shumë të kujdesshëm në koordinim me aleatët, pasi që vendimet që merren tani, do të ndikojnë jo vetëm për gjeneratën tonë, por edhe për brezat që vijnë.