Kupa e Botës, krejt çka ndodhi në ditën e parë

Kupa e Botës, krejt çka ndodhi në ditën e parë

Ka përfunduar dita e parë në Kampionatin Botëror që do të zgjasë deri më 18 dhjetor ku edhe do të përcaktohet fituesi i trofeut më të çmuar në futboll.

Në orar për ditën e sotme ishte vetëm një ndeshje. Ndeshja hapëse e kampionatit mes nikoqirit, Katarit dhe Ekuadorit.

Për herë të parë në histori të Kupës së Botës vendi organizator nuk ka arritur ta fitojë ndeshjen hapëse. Katari është mposhtur nga Ekuadori me rezultat 0:2, me golat e shënuar nga Enner Valenica.

Një orë para fillimit të takimit, në stadiumin “Al Bayt Stadium” me një kapacitet prej 60 mijë personave është organizuar edhe ceremonia hapëse e cila ishte mbresëlënëse.

Nën udhëheqjen e aktorit të njohur, Morgan Freeman është proklamuar barazia dhe paqja në botë, teksa është recituar edhe një ajet kuranor sipas traditës së vendeve nga Lindja e Mesme.

Me valigjen e firmës “Louis Vuitton” që u bë e famshme pas fotos së postuar dje nga Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, është sjellë trofeu i çmuar i Kupës së Botës.

Trofeu është prezantuar nga legjenda franceze, Marcel Desailly që është fitues i këtij trofeu me kombëtaren franceze.

Goli i parë i shënuar në kampionat është anuluar për pozicion jashtë loje pas rishikimit të VAR-it edhe pse kishte shumë polemika për të.

Sulmuesi Valencia shënoi dy gola në fitoren e Ekuadorit (16′,31′), ndërsa fitoi edhe çmimin e parë si lojtari i ndeshjes.

Në Grupin A, Ekuadori ndodhet përkohësht në pozitën e parë, ndërsa për kundërshtarë ka edhe Sengalin, Holandën e Katarin.

Kupa e Botës do të vazhdojë deri më 18 dhjetor, ku në orar për ditën e nesërme dhe gjashtë ditët tjera në vazhdim do të zhvillohen nga tre ndeshje.

Related Articles