Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se oferta e BE-së paska qenë që detyrimet që Serbia ka nga marrëveshjet që i ka nënshkruar vetë t’ia numërojë si kompromise, ndërkaq Kosova të heq dorë nga zbatimi i vendimeve që dalin nga po të njëjtat marrëveshje.
Sipas tij, njërës palë, Serbisë po i kërkohet që të respektohen marrëveshjet, kurse Tjetrës palë, Kosovës po i kërkohet që të heq dorë nga respektimi i po të njëjtave.
“Kur Kosova propozoi që të trajtohet me urgjencë propozimi i ashtuquajtur Franko-Gjerman (evropian) e që po mbështetet nga të gjitha fuqitë perëndimore, pas refuzimit të Serbisë, mungoi vendosshmëria e BE-së”, shkroi ai në Facebook.
Ligjvënësi i pushtetit u shpreh se kryeministri Albin Kurti sot përpos që mbrojti interesat e vendit, e mbrojti edhe BE-në, e cila thotë se për fat të keq hoqi dorë nga propozimet e veta.
“Pritni tash deklaratat që po prishemi me BE-në, kur në fakt ne po insistojmë në mbrojtje të propozimeve të tyre”, përfundoi ai.