Ka yje dhe yje. Ata të Brazilit janë me pesë yje në gjoks, qëllimi i trajnerit Tite dhe i gjithë Selecaos është të shtojnë një tjetër, të gjashtin, 20 vite pas Botërorit të fundit të fituar. Pesë janë gjithashtu yjet e hotelit shumë luksoz të zgjedhur për akomodimin e Neymar dhe kombëtares së tij në Katar.
Dollar plus dollar minus, ose më mirë rial plus rial minus, sponsorët e kanë lejuar kombëtaren braziliane të mos kursejë asnjë shpenzim. Rezidenca braziliane është “Westin Doha Hotel and Spa”, një hotel njëmijë e një netësh, me dhoma nga 2500 euro nata.
Janë rreth 200 dhoma të rezervuara për Brazilin nga 264 në dispozicion. Ndër shërbimet speciale ka edhe një plazh me pamje nga pishina me valë. Stërvitja në vend të kësaj zhvillohet në stadiumin “Grand Hamad”, ku dje kombëtarja braziliane ka pasur edhe një takim me fëmijët e shoqatës “Generation Amazing”.
Në pritje të debutimit të së enjtes në mbrëmje kundër Serbisë, dje ishin Raphinha dhe Richarlison ata që folën në konferencën për shtyp. Duke u ndalur tek yjet, në veçanti Richarlison mbrojti hapur Neymar, i cili përfundoi në pamjet e “Bild”, pasi kishte publikuar një foto në Instagram, në të cilën ai tashmë kishte shtuar në pantallonat e shkurtra yllin e gjashtë:
“Ata janë arrogantë, ne jemi vetëm ëndërrimtarë. Ne jemi duke ëndërruar për atë yllin e 6-të dhe do ta marrim, duan apo s’duan ata. As unë nuk dua të di për to. Ne do të fitojmë Kupën e Botës, kjo është ëndrra jonë. Neymar e bëri atë postim, sepse është edhe ëndrra e tij. Ne e dimë se dëshiron të fitojë dhe të postojë atë që dëshiron”.