Kryetari i Nismas Socialdemokrate Fatmir Limaj, javë më parë e kishte paralajmëruar dorëzimin e kryeministrit Albin Kurti në momentin e fundit, për shtyrjen e zbatimit të vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.
Shtatë ditë më parë Limaj në Rubikon në Klan Kosova kishte deklaruar se Kurti në momentet e fundit do të dorëzohet.
Tutje, Limaj kishte deklaruar se Kurti po i terrorizon qytetarët me veprimet që është duke i bërë.
“Deri të dielën ka me shty këtë vendim, as te amerikanë as te vetja, pak te amerikanët pak te vetja e pak te militantët. Në fund del e thotë po e bëjmë këtë lëshim, qysh me ja fal ky popull këtë terrorizim që është duke e bërë”.
Mbrëmë, kryeministri Albin Kurti ka pranuar kërkesën e Ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier për ta shtyrë zbatimin e vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë dhënien e gjobave për qytetarët që vozisin automjetet me targat që Serbia ilegalisht i lëshon për rajone të Kosovës.
Pas tetë orë negociatash në Bruksel mes Kurtit dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësuesve të BE-së, palët dështuan të arrijnë një marrëveshje për targa.
Sot, më 22 nëntor, do të fillonte zbatimi i fazës së dytë të vendimit për konvertimin e targave ilegale, që do të përfshinte gjobitjen e të gjithë atyre që akoma përdorin këto targa.