Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se lidhur me çështjen e targave do të vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brukselit.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, Mushkolaj ka thënë se zgjidhja që do të ofrohet nga dy të lartëcekurat nuk do të mund të kundërshtohet nga Kosova.
“Zgjidhja që do të ofrohet nga SHBA-të nuk mendoj se mund të kundërshtohet më nga Kosova dhe nga zoti Kurti sepse me vetëdije të plotë, e ka lënë në duart e SHBA-ve dhe Brukselit të merret me këtë çështje. Pra, në njëfarë mënyre të plotë e ke deleguar atë sovranitetin tek SHBA-të dhe Brukseli”, tha ai.
Krahas kësaj, Mushkolaj ka vlerësuar se tashmë çdo gjë që po ndodhë, po ndodhë për menaxhimin e shkurt të krizave. Sipas tij, ajo që dikur nuk ishte urgjente sipas Kurtit, tashmë është.
“Vet Kurti, sa i përket urgjencës së arritjes së marrëveshjes, ka qenë ai që ka thënë se asgjë nuk është urgjente”, ka thënë ai gjersa theksonte se tash është urgjent plani që Presidentja e Kosovës, Osmani e quante “FAKE NEWS”.
Të hënën e 21 nëntorit, në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Nga takimi në Bruksel nuk pati asnjë marrëveshje. Më vonë në po të njëjtën ditë, SHBA-të kërkuan nga Qeveria e Kosovës që e njëjta të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje, kërkesë kjo e pranuar nga Kryeministri Kurti.