Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka reaguar ish-kryediplomatit kosovar, Skender Hyseni i cili ka thënë se deklaratat e presidentes Vjosa Osmani karshi BE-së për dialogun, veçanërisht ndaj diplomatit spanjoll, Josep Borrell, po i përngjajnë me ato të liderit komunist Enver Hoxha e kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.
Peci i kërkoi Hysenit që ta akordojë mirë harmonikën, ndërsa u shpreh se atij i janë përzier sendet.
“Skendo, akordoje mirë harmonikën se të janë përzi sendet. Analogjia e cilitdo njeri të Kosovës me kasapin Millosheviq është krim, le më me të parën e shtetit. Mos u përpiq që margjinalizimin personal ta projektosh në një ‘polemikë’ me presidenten e shtetit. Ndoshta ke makthe presidenciale nga shegërtllëku i mëhershëm, e kuptueshme”, shkroi Peci në Facebook.
Ai tha se “si përkthyes konsekutiv ishte dashtë ta keni mbamendjen të freskët: Millosheviqi është kriminel lufte”.
“Ndaj, ktheju harmonikës, pi venë aristokrate, përkthe ndonjë gjë, e lëri palo analizat politike. Në esencë dërdëllitjet tua janë elegji për kohën e dikurshme. S`ka më shishe vene 300 e më tepër euro, s`ka më salltanate gjithandej, nuk është më shteti pronë e teje dhe shokëve”, shtoi tutje Peci.
Madje, ai iu drejtua Hyseni se “po të kishe sukses në dialog, si koordinator, nuk do të ishim ende në bisedime me Serbinë”.
Sipas Pecit, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po përpiqen t’i sanojnë dëmet e tua dhe shokëve.
“Ndaj, rri, më mirë mos fol! Rri në rolin tënd tradicional siç të njeh Çarshia e Prishtinës, atë të harmonikashit”, përfundoi Peci.