Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi ka thënë se ka informacione se Granit Xhaka, futbollisti me origjinë shqiptare i Kombëtares së Zvicrës, ka përgatitur një festim të veçantë nëse shënon gol ndaj Serbisë.
“Granit Xhaka e ka përgatitë një festë të veçantë nëse shënon ndaj Serbisë. Nuk mund ta zbuloj se çka, por do jetë diçka fantasike. Do ta sponsorizoj kombin shqiptar me atë festën e tij”, ka thënë Munishi në RTV Dukagjini të mërkurën.
Ai po ashtu shtoi se ky festim “do t’i ketë përmasat më të mëdha se të shqiponjës. Ai nuk është penduar për festimin ndaj Serbisë”.
Katër vite më parë, në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Rusi, Xhaka kishte shënuar gol ndaj Serbisë dhe kishte festuar me simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Festimi i tij dhe futbollistëve të tjerë me origjinë shqiptare të Zvicrës, kishte shkaktuar polemika të shumta.