Kryeministri Albin Kurti ka shprehur keqardhje për veturat e djegura në veri shkak i konvertimit të targave në RKS, duke thënë se nuk ka arritur t’i mbrojë.
“Më vjen shumë keq që gjashtë vetura serbe janë djegur, e unë nuk kam arritur t’i mbrojë“, tha Kurti në seancë plenare.
I pari i qeverisë tha se kanë negociuar gjashtë muaj për çështjen e targave, ku ka pasur tetë opsione në tavolinë, por se Serbia i ka refuzuar të gjitha.
“Gjashtë muaj kemi negociuar për targa, disa herë ka shkuar zëvendëskryeministri Bislimi, por shpeshherë kanë shkuar ekspertët, tetë opsione në fund kanë qenë në tavolinë, pesë prej tyre nuk kanë qenë të mira, tri kanë qenë të mira, prej këtyre tri, njëra ka qenë shumë i mirë. Serbia i ka refuzuar të gjitha ato, përshtypja është që Serbia i ka refuzuar për shkak se në njërën anë të gjitha e kishin reciprocitetin brenda, e në anën tjetër nuk kishin qeveri, e pat filluar lufta ruse në Ukrainë dhe ky kontekst politik i bëri ata që të refuzojnë. Ne pritëm edhe dy muaj, vendimin e kemi marrë në qershor, dy muaj pas dështimit të negociatave dhe ai vendim ngelet, çfarë kemi bërë ne, e kemi diferencu qasjen, por unë nuk kam mundur të pranojë diçka që nuk besoj”.
Tutje Kurti tha se s’do të ketë më regjistrim të targave ilegale, pasi t’iu del afati.
“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë, me shofera e pronarë serb, që i kanë tabelat ilegale KM, PR etj, e të cilat janë regjistruar sivjet, krejt janë më të vjetra se sivjet, atyre krejt do t’iu dal regjistrimi, s’ka më regjistrim”.